Buron Kaçeli në lëvizje nëpër realitetin shqiptar në galerinë “Qahili”

Nga pikturat më duket se e dëgjoj ritmin. Muzika burimore shqiptare depërton pa zë, veç me ngjyrë. Janë ato që ngjallin njëfarë muzikaliteti. Asi muzikaliteti që bëhet më harmonik me ndërthurjen e saktë të koloritit. Me def, kitarë, daulle e harmonikë. Gra, burra e fëmijë me veshje tradicionale. Dëfrejnë, hanë e pinë. Festojnë momentin. Piktura plot shpirt. Janë aso piktura që të ftojnë në festë. Autori Buron Kaceli ia del me mjeshtëri të përthekojë gjallërinë e jetës shqiptare në forma precize që madje edhe të japin nostalgji dhe të bëjnë të duash të hysh në pikturë për të jetuar bashkë me subjektet. Qoftë edhe për një moment. Brusha e tij të magjepsë me saktësi edhe kur subjektet janë krejtësisht ngjitur me njëri-tjetrin. Në ngjyra plot ngrohtësi, ato shpërfaqin individualitet edhe në bashkësi. Kjo atmosferë u reflektua edhe nga të pranishmit në galerinë “Qahili” që krijoi një festë në vete. Festë për të shënuar një fillim të ri me një botë të pasur artistike e piktura të zgjedhura aq sa i përshtaten galerisë, pa monotoni dhe përsëritje, por duke kaluar një temë në tjetrën, nga kolektivja në personalen e piktorit. Ekspozita “Arti i Kallnorit” nga mjeshtri i madh Buron Kaceli në galerinë “Qahili” dërgoi në argëtim duke ngjallur festë brenda e jashtë. “Kam ardhur me shumë kënaqësi. Ftesës së Eshrefit edhe Nitës iu përgjigja me shumë dëshirë sepse kemi shumë nevojë për shkëmbime kulturore, por në të njëjtën kohë edhe për të takuar miqtë. Jam shumë i emocionuar nga kjo pjesëmarrje kaq e madhe e disa prej miqve të mi nga disa qytete të Kosovës, po ndjehem shumë mirë”, u shpreh piktori në një intervistë të shkurtër përgjatë ekspozitës.
Në anën tjetër shpejt mund të kalosh në një skenë të zakonshme të burrave hijerënd rugovasë. Edhe hapat e shpatat e burrave të Rugovës japin një mesazh mobilizimi për ritëm në shpirtin luftarak të festës. Një fëmijë në anën tjetër me daulle e fuqizon këtë. Të gjitha pikturat janë shëtitje në traditat shqiptare dhe shpërfaqin dedikimin studiues të piktorit ndaj tyre.


“Unë traditën tonë e dua shumë, e çmoj shumë, e kam studiuar shumë dhe mundohem që ajo të pasqyrohet në pikturë në forma të ndryshme, në raste të ndryshme. Kudo ku shkoj, bëj edhe kostume popullore, por jo vetëm kostume, por bëj edhe portrete nga njerëzit interesant që përfaqësojnë diçka. Në pikturat e mia udhëton në të gjitha trevat shqiptare”, u shpreh tutje ai. Buron Kaceli (Mjeshtër i Madh), u lind më 25 Janar të vitit 1948 në qytetin e Tiranës, por me përvojën e tij jetësore e artistike është vlerësuar disa herë me tituj të rëndësishëm nga qyteti i Klosit. Sot ai mban titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi”. Rrugëtimi i tij në art nisi në vitin 1960 me studimet në Liceun Artistik Jordan Misja. Më pas studioi për pikturë në Akademinë e Arteve, nga viti 1964 deri në vitin 1970. Ndër vite ka dhënë kontributin e tij në institucione të ndryshme arsimore, artistike e kulturore, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në secilin prej tyre. Ka marrë pjesë në disa nga ekspozitat organizuara të Galerisë Kombëtare të Arteve jashtë vendit, si dhe ka çelur një numër të madh ekspozitash personale që nga viti 1975 e deri në ditët e sotme.


Nga kolektivja në personalen e piktorit mund të ecësh me një shëtitje përgjatë galerisë. I takon edhe ata që e formësuan. Pra, nuk mungojnë portretet e më të dashurve të tij, të babait, nënës dhe gruas. Mjeshtërisht është i paraqitur edhe babai i tij, Sadik Kaceli (1914-2000), të cilit Buroni ia ka trashëguar profesionin e talentin. Babain e paraqet në një gjendje qetësie pasi ka vendosur paletën poshtë tij. Vetë figura e tij tregon edhe për sfondin e babait si piktor realist që edhe donte portretet e peizazhet. Kjo pikturë është veçuar edhe nga Muse Prelvukaj. “Në këtë ekspozitë ia vlen të veçohet portreti i babait që me poteza të lirë të brushës e arrin madhështinë e artistit dhe ngrohtësinë e prindit. Me lënë përshtypje edhe piktura “Vajza e ulur” ku aq bukur figura qëndron në kompozicion por edhe më mirë vjen në zbërthimin e ngjyrave të ngrohta ku përveç nuancave subtile shkëlqyeshëm e arrin efektin dritë hije”, ka thënë Prelvukaj.


Piktura në hyrje të galerisë që e shpërfaq Tiranën në plot prej dimensioneve të saj, do goxha studim. Flet me ngjyra, figura e fjalë. Flet fuqishëm me mesazhe për reforma në arsim me fishkëllima pankarta. Dëshmon fuqinë artistike të autorit për të përcjell shumë mesazhe njëherazi dhe realitetin e shumëkujt. Ka valle, lexim, shfletim librash, nxënës, fëmijë e të dashuruar. Të gjithë truq në një hapësirë ku autori shpërfaq dinamizmin e Tiranës së tij.


“Tirana ime, si e shoh unë Tiranën me atë dinamikën e vet, ashtu si Prishtina pak rrëmujë, pak zhurmë që vetëm rritet, ndërtohet me mirëqenien e probleme sociale. Jam munduar që në këtë kompozim ta shpreh Tiranën siç e di unë. Mua më pëlqen shumë lëvizja, e dua shumë njeriun dhe më pëlqen lëvizja në art, lëvizja e figurave sepse lëvizjet shprehin, kjo ndoshta është arsye pse duken pak dramatike sepse nuk ka piktura statike, të gjitha shprehin diçka”, tha tutje ai në intervistë.


Pikturat e tij mbërthejnë një interval kohor nga vitet ‘74-75 në Malësinë e Tiranës e deri te punët e fundit. Një grua me xhubletë ka një grumbuj flamujsh kombëtar me të cilët duket që i mbledhë gjithë trevat në një vend dhe i mbërthen fort ato. Edhe organizatorët e ekspozitës e duan fort lëvizjen. Nga vizita e Nita Qahilit dhe Eshref Qahilit në atelenë e autorit kanë zgjedhur punime që kanë shumë lëvizje pasi që ato sjellin shumë veçanti. Me këtë përzgjedhje kanë dashur të nxjerrin në pah edhe atë që e shquan punën e Kacelit. “Është një punë që e ka një veçanti për shkak se në momentin që e kombinon hijet, elementet e lëvizjes së figurave, të karaktereve në pëlhurë dhe të njëjtën kohë edhe të ngjyrave atëherë krijohet njëfarë harmonie që mundesh me e pa që është një kompozicion shumë specifik”


Kurse sipas Prelvukajt vërehet së pikturat e tij kanë përmbajtje të kohës me realizime reale, me shprehje figurative impresive dhe ekspresive. Sipas tij kjo dëshmon se autori e njef mirë figuracionin prandaj në shumicën e veprave të tij dominon figuracioni kompozicional që kërkon një studim më kompleks.
“Hapësira mes formave është e menduar mirë duke respektuar në plotni rregullat e perspektives lineare ku format paraqitën me distancë të balancuar me shkrirjen e ngjyrave duke krijuar nuanca të ndryshme në harmoni e sipas nevojës edhe me kontrast. Autori nuk ka dilemë të krijoj në frymën e kohës pa u shkëputë nga krijimi i mëparshëm, këtë e kalon me ndjesi të matur duke u dhënë veprave vlera bashkëkohore”, ka thënë ai në një intervistë.


Kjo ekspozitë është e hapur për vizitorët deri më 10 shkurt. Është mundësia më e mirë për të nisur vitin me art që të vë edhe ty në lëvizje!

Gili Hoxhaj
Written by Gili Hoxhaj