fbpx

Aura e 7 viteve

7 vite art, krijimtari e shoqëri të reja

Galeria Qahili feston 7 vjetorin e hapjes

Galeria Qahili, që 7 vite shërben si hapësirë e ideve, kreativitetit, artit dhe vend ku të gjithë mbledhen për të festuar procesin krijues, për të shënuar lirinë artistike dhe për të kremtuar lidhjen e veçantë në mes krijimtarisë e konsumimit artistik. Është shtëpia e artit që mirëpriti ndër punimet më të njohura të artistëve kombëtarë e ndërkombëtarë.    

 

Nga nata e hapjes së Galerisë Qahili 6 maj 2013

 

Në dalje të Prishtinës, në një hapësirë të qetë e mjaft moderne, ndodhet Galeria Qahili, një galeri e pavarur e artit që është hapur me 6 maj 2013, si një vend i destinuar për frymimin e lirë të artit në Kosovë. Meqenëse Galeria Qahili, lindi si ide nga vetë familja Qahili, në hapje u prezantuan punime të ndryshme të artistit Eshref Qahili. Këto punime treguan rrugëtimin e karrierës së tij artistike ku theks të veçantë ju kushtua skicave, pikturave, vizatimeve dhe skulpturave. Ndër të tjerash, kjo ekspozitë shtroi rrugën e promovimit të artistëve të ndryshëm që do të bëheshin pjesë e një tregimi të ri arti në Kosovë.

 

7 vite nga hapja e saj, Galeria Qahili ka qenë nikoqire e mbi 38 ekspozitave artistike duke kontribuar në promovimin dhe zhvillimin e komunitetit artistik, kulturës dhe artit në vend. Përmes aktiviteteve ndër vite, Galeria Qahili ka prekur tema të ndryshme shoqërore të cilat kanë pasur ndikim të madh jo vetëm në komunitetin artistik por edhe në shoqëri në përgjithësi. Këto tema janë zhvilluar si bashkëpunim me kuratorë dhe artistë të cilët janë prirur nga frymëzimi që i ka sjellur deri tek punimet e tyre si dhe i kanë formuar edhe më tej aktivitet përmes përceptimeve të tyre. ‘Ëmbëlsirat’, satira, ngrohja globale, sjelljet e njerëzve dhe kujtesa e përbashkët e periudhave të ndryshme, janë disa nga temat që u trajtuan nga vetë artistët e që ndikuan në formimin e kritikës dhe opinionit artistik publik. Ndër të tjerash, ky ndikim ka ndihmuar në shkrirjen e kulturave që na ndihmojnë përgjatë procesit të kremtimit të ngjashmërive që i bën bashkë grupe të ndryshme të artistëve. 

6 maj 2013 – familja Qahili dhe Luan Mulliqi gjatë hapjes së ceremonisë së hapjes Galerisë Qahili

 

Njëra ndër aktivitetet që reflektoi në këtë kremtim të ngjashmërive kulturore e tradicionale ishte ‘Zhurma e Artistëve Pa Kufi’. Edicioni i parë dhe i dytë u thirr vetëm ‘Artistët Pa Kufi’. Këto dy edicione u organizuan në Luginën e Preshevës, ku morrën pjesë mbi 40 artistë duke e gjallëruar këtë qytet përmes krijimtarisë artistike për dy vjet radhazi. Në këtë aktivitet – mini rezidencë artistike, u thyen rregullat dhe u shpërnda mesazhi që arti dhe artistët jo domosdoshmërisht i përceptojnë kufijtë. Gjatë edicionit të parë, ju dhurua ‘një tufë lule Preshevës’ siç u shpreh edhe Kujtim Buza në një dokumentar të realizuar nga Mumin Jashari. Megjithatë,‘Një tufë lule për Preshevën’ nuk ngeli vetëm shprehje. Ajo u soll në jetë edhe përmes një punimi nga Buza ku reflektohet një pamje hyjnore, që përcjellë pozitivitetin e kësaj Lugine me anë të masës së ngjyrave e tërheqjes së brushës në pëlhurë. Ky aktivitet pas dy viteve në Luginë të Preshevës, u zhvendos në Prishtinë, në hapësirat e Galerisë Qahili si dhe në hapësira publike të ndryshme të kryeqytetit. 

 

Ekpsozita të ndryshme kolektive u organizuan në Galerinë Qahili, secila në forma të ndryshme të ekspozimit dhe mbledhjes së artit. Për dallim nga të tjerat, ‘Hijet e Bardha’ është njëra nga aktivitetet kolektive që është simbolike për Galerinë Qahili. Ekspozitat kolektive në kuadër të aktivitetit ‘Hijet e Bardha’ që u mbajtën në vitin 2013, 2014, 2016 dhe 2018 me mbi 300 pjesëmarrës, lanë gjurmë në historinë e artit në Kosovë. Edicioni i parë ishte edhe aktiviteti i tretë i Galerisë Qahili që bëri jehonë në vend e rajon duke mbledhur mbi 120 artistë pjesëmarrës të vendeve të ndryshme të botës dhe mbi 200 punime të ekspozuara. Këtu artistët pjesëmarrës votuan vetë njëri-tjetrin ku artist fitues u përzgjedh Agron Mulliqi, çmim që u mbështet nga kompania Pronto dhe Kolegji Iliria. Kjo traditë e mbledhjes së një numri të madh të artistëve vazhdoi, por duke ndryshuar medium të krijimit ose detaje që e bënin këtë aktivitet çdo vit e më të veçantë. 

 

Ndërkaq, në edicionin e vitit 2018, ‘Hijet e Bardha’ bashkoi letërsinë me artin vizuel ku u krijua një dyzim në mes të dy fushave më të rëndësishme artistike në vend e duke sjellur kështu një frymë revolucionare jashtë kornizave të zakonshme të të bërit art. 

 

Përpos hapësirës moderne për frymim të lirë artistik, Galeria Qahili përmes aktiviteteve ndër vite, preku edhe historinë dhe rezistencën shqiptare. Ekspozita Retrospektivë e koleksionit të familjes Buza të artistit Abdurrahim Buza, përcjelli tregimin e zhvillimit të artit në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist ku liria artistike ishte vetëm mit. U prezantua një koleksion i madh dhe me shumë vlera, e mbi të gjitha punime që nuk ishin ekspozuar më parë. Këto punime ishin krijuar gjatë kohës kur Buza ishte student e të cilat e ndihmuan atë të krijonte personalitetin e tij si artist; personalitet ky që karakterizohet me kompozicione, figura, portrete dhe peisazhe. Sipas Kujtim Buzës, i biri i tij e njëkohësisht artist, këto punime ishin po ato punime që ja tregonte miqve të tij. Për këto të fundit, familja tani kishte vendosur që me rastin e 110 vjetorit të tij të hapte sëndukun që mbante plot 60 vjet krijimtari. 

 

Mirëpo prezantimi i trashëgimisë kulturore nuk përfundoi këtu. Përmes një ekspozite personale, Nexhmi Bardhi prezantoi koleksionin e tij të veshjeve kombëtare të ruajtura me vite të tëra, i cili përcjellë një trashëgimi mbi 100 vjeçare. Kjo ekspozitë u quajt ‘Aura’ pasiqë çdo veshje e këtij koleksioni mbërthen në vete identitet, autoritet si dhe i përket një periudhe kohore të caktuar. Pjesë nga koncepti:

Bestytëni! Estetikë e ngjyra që i japin jetë detajeve. Detaje që përcjellin e ritransmetojnë kulturën e traditat e një vendi. Janë këto elemente që i permban koleksioni i Bardhit. Koleksion i titulluar ‘Aura’ që mbërthen ideologjinë e sociologut Benjamin. Koleksion që përmban në vete një identitet, autoritet si dhe i përket një periudhe kohore. Një numër i madh i elementeve etnografike prezantojnë periudha të ndryshme të trevave të Kosovës. Detaje që e bëjnë një kulturë të zhvillohet:

Një nismë!

Një moment!

Një dëshirë!

Një kujtim!

Një jetë!

Një popull!

Një kulturë!’

Ekspozita “Aura” – Bardhi

 

Një tjetër aktivitet që përmes artit udhëtoi në kohë është edhe ekspozita personale ‘Fmitë e non-të-dhetave’  ku morrën pjesë 7 artistë të cilët përmes krijimtarisë të tyre rrëfyen përvojat, kujtime dhe mbresat që i kanë kaluar gjatë viteve të 90ta. Pjesë nga koncepti i ekspozitës:

‘Krejt kjo ekspozitë është një tregim,

Një reflektim i kujtesës,

Një shfaqje,

Histori, përvoja e këndvështrime të një periudhe të caktume,

Një periudhe të ndritshme e të zymtë.

Është një vëmendje përkushtuar periudhës 90të,

Është nje tregim i joni,

Është realiteti jonë!’

 

Hapja e ekspozitës së “Fmitë e non-të-dhetave”

 

Përpos ekspozitave të artistëve të vendit si Eshref Qahili, Nehat Beqiri, Mustafa Arapi, Laureta Vinca Mulliqi, Zana Ramadani, Jeta Kalaveshi, Veli Blakçori, Nexhmi Bardhi, Mentor Avdili, Mirjeta Qehaja e shumë të tjerë, Galeria Qahili mikpriti edhe shumë ekspozita të artistëve të huaj si Umit Inatci dhe Senih Cavusoglu nga Qipro, Elizabeth Marran dhe Joyce Conlon nga SHBA, Betül Burnaz nga Turqia, Monika Kropshofer nga Gjermania etj…

 

Në vitin 2019, Galeria Qahili vazhdoi zgjerimin e fushës së veprimtarisë, duke ndërtuar një databazë dixhitale të artit në Kosovë. Databaza.art është databaza e parë e artit në vend e cila përmban informata thelbësore të karrierave të artistëve tonë. Kjo databazë është ende në fazën e parë të zhvillimit dhe përfshinë informata thelbësore për artistë të artit pamor në vend. Ndërkaq, gjatë fazave të ardhshme do të përfshijë edhe artistë të fushave të ndryshme artistike dhe kulturore. Kjo platformë dixhitale është krijuar për të gjithë komunitetin artistik, hulumtuesit apo thjeshtë për të gjithë ata që janë të interesuar rreth historisë të artit në Kosovë.

 

Ndërkaq, së fundmi Galeria Qahili ka sjellur projektin: ‘Karantina me ngjyra’ që në thelb ngërthen promovimin e punimeve të realizuara në kohë karantine si pasojë e virusit COVID-19.  ‘Karantina me ngjyra’ do të përfshijë punimet e të gjithë artistëve profesional, art-dashësve apo thjeshtë të atyre që kanë dëshirë të shprehin talentin e pazbuluar artistik në një album-ekspozitë në faqet online të Galerisë Qahili. Edhe pse ky projekt koincidoi me periudhën kur Galeria Qahili festoi përvjetorin e 7-të të hapjes, në thelb ngërthen rritjen e vetëdijësimit ndaj terapisë përmes artit e cila ndihmon në trajtimin e mirëqenies psikologjike, emocionale dhe fizike të të gjithve, e e cila është shumë me rëndësi sidomos në kohë izolimi. 

 

Duke shpresuar që shumë shpejtë do të mbledhemi bashkë për aktivitetet e radhës, Galeria Qahili në 7 vjetorin e saj, vazhdon rrugëtimin drejt përfshirjes, zhvillimit dhe promovimit artistik në vend. 

Shkruar nga: Rrita Reka & Nita Qahili

Subscribe for latest news!

Copyright © Galeria Qahili / Privacy Policy